Ku përket Kurila?
Për sa i përket përkatësisë, Evllogjio Kurila lë pas tym e habitje, si çdo figurë kontradiktore. Me një lexim të pjesshëm të tij, dikush mund të mendojë se ai jo vetëm që përket i tëri në kulturën greke, por dhe se duhej të adhurohej atje në të gjallë. Në fakt, të njëjtat keqkuptime që ai ndesh nga pala shqiptare, po kështu e madje më keq janë të kategorizuara dhe nga bashkëkohësit e tij grekë. Mbas largimit nga Shqipëria, peshkop Evllogjio e përjetoi mbijetesën dhe mjerimin jashtë kishës, edhe pse arsyet e përzënies nga selia e tij ishin kishtare (çështja italiane në KOASH, për shembull), të cilat ftilloheshin me argumentime politike, shqiptaro-greke.
Bindjet e thella filohelene nuk e rivendosën hierarkun e patrikanës, mbas dëbimit nga Korça, në hierarkinë aktive të kishës ortodokse, përveç titujve honoralë, edhe ata me pahir e të diskutuar nga përluftarët e të dy vendeve. Ai bëri një luftë të sinqertë, parë gjithmonë nga motivet e pozitat e tij kulturore, gjë që i shkaktoi dashamirës në të dy vendet, por dhe armiqësi të ndërsjellta. Kurila ishte ai që luftonte për helenizimin e Shqipërisë, por dhe ai që i qëndiste mbretit Zog epitete gjuhësore që shkonin më mirë për mbretërit biblikë e perandorët bizantinë, me terma sinaksarësh, edhe pse monarku shqiptar nuk u tregua i tillë, sidomos kur “qyteti i mbretëruar” u pushtua. Për mendimtarinë e Kurilës një qëndrim i tillë nuk përbënte kontradiktë, në një kohë që kolegët grekë kapeshin për ta rrëzuar pikërisht në këto pika.
Në vitin 1943 profesor Kurilla u detyrua të bëjë një apologji ndaj dekanit të fakultetit filozofik, ku mbrohet nga akuzat e një kolegu i cili e akuzonte se “’nuk kam ndërgjegje autentike greke’, as ‘të kaluar të pastër’, se kam ‘ndërgjegje shqiptare e ndjenja shqiptare’, dhe se jam ‘shumë i rrezikshëm’. Ai madje më krahason mua me më se të degjeneruarin Fan Noli. Ishte ky i fundit që shkatërroi shkollat greke në Shqipëri, ndërsa unë i ringrita dhe u dëbova nga Shqipëria, sepse nuk ndryshova shtetësinë greke”.[36]
Kurilla nuk e mohon shqiptarinë e tij, siç do të bënte një qytetar shqiptar sot, nëse do të besonte e trajtonte çështje të tilla, kaq greke. Madje ato që shkroi i mbron me fanatizëm, duke rrëfyer identitetin e tij sa herë që kërkohet, si lëçitës i një misioni risues në rajon: “Për shqiptarët jam grek e mbigrekëzues, ndërsa për ju grekët, jam shqiptar shqiptarizues [...] Një ëndërr të lartë pata në jetë, për realizimin e së cilës e shkatërrova jetën time. Nuk isha për një shtet shqiptar të izoluar, pa mbështetje e të pasigurt, por për një bashkim të pandarë me Greqinë, qoftë dhe në një trajtë tranzistore dykrerëshe”.[37]
Ky pohim i dhimbshëm është thelbi i rrëfimtarisë së Evllogjio Kurilës në letrat greko-shqiptare dhe synimi i shërbesës së tij politike në rajon. Kjo ishte dhe përfshirja e tij në kler, me shugurimet rrufe në një moshë të shkuar; ky është, pra, dhe qerthulli i hulumtimit albanologjik. Nëse ai nuk ka vend të lektizuar në asnjë vend, kjo është sepse një τόπος i tillë, si ai që imagjinoi për t’u ngazëllyer oshënari, nuk u përftua në përvojën e Ballkanit. Nga ana tjetër, rivendosja e kësaj figure njëanësisht, si pjesë e spekullimit të madh në vitet 90, është kundër cilësisë së Kurilës. Janë përpjekje për të kanalizuar natyrën e një misioni kulturor, tejet etikës, përmes shqipes tashmë e shqiptarisë, në një dialektikë me disa veçori nga Kurilla, për të bërë atë që nuk bëhet dot ndryshe, por dhe për të zhbërë një mendësi sa të paradhënë aq dhe të brishtë në historinë shqiptare: manipulim kulturor. Vargu i himnografit “Iku hija e ligjës”, nuk dimë se në cilën palë tingëllon sot më domethënës…
Kurila besonte se çlirimi i shpirtit Shqiptar mund të arrihej përmes estetikës. Mirëpo as nacionalist estetik, në narrativë e në mjetet e përshkrimit, por as topologjist, në analizë e në parashtrime, ai nuk mundi të na lërë diçka të vyer, për atë që në fund të fundit ishte unike në jetën e veprën e tij. Identiteti kulturor i Kurilës, as shqiptar e as grek, por tani e përherë arbër helen, ishte shprehës i një bote, shenjat e së cilës i gjejmë të frikshme në luftën e Nolit me shokë për shqiptarizimin (jashtë thonjëzave) e bashkëfolësve ortodoksë.
Duke lënë Kurilën atje ku përket, shmangim ato zona që bëjnë viktima në botën shqiptaro-greke. Evllogjio Kurila është një nga shembujt tipikë se ku mund të çojë idealizimi i emocioneve kulturore mbi gjuhën e të kaluarën mitike të rajonit. Një aktivist i tillë mund të ishte paq edhe i krahut të ndërsjelltë, i cili do të përçonte me të njëjtat ritme epërsinë shqiptare, mitet e bashkëqenshme përmes së njëjtës dialektikë, duke lënë në rajon po ato gjurmë e shije të athëta; manipulimi i mendjes. Edhe pse teoritë folklorike duken naive e të padëmshme në shtjellime, ato mund të mbysin frymët idealiste, siç ishte studiuesi Kurila, por sidomos ata që besojnë përmendsh e përikin pafajësisht në strehë të tilla ngushëlluese.
SË SHPEJTI DO TË KEMI DHE DISA FOTO APO SHKRIME NGA VETË E. KURILA.