LLazar PAPAPOSTOLI
Lindur në Katundin Ziçisht – Bilisht, në maj 1915, i biri i Fotinisë dhe i Dhimitrit.
Shkollën fillore e kryen në Ziçisht.
Në vitin 1927–1930 punon në Tipografinë “CEKREZI” -Tiranë.
Në vitin 1930 merr bursë në shkollën Teknike Amerikane – Tiranë.
Në vitin 1937 shkon në SHBA dhe regjistrohet në Universitetin “ILLINOIS” në degën e shkencave politiko–shoqërore. Diplomohet në qershor të vitit 1941.
Deri në janar të vitit 1942 i papunë.
Më 05.01.1942 deri në qershor të vitit 1943 punon si sekretar i Shoqatës “Shqipëria e Lirë” dhe drejtor i gazetës “LIRIA” në Nju-Jork.
Në qershor të vitit 1943, me ftesë të z.Fransis CALLNEY shkon në Uashington në O.S.S.
Nga shtatori 1943 deri më 21.10.1943, shkon me shërbim në Kajro pranë O.S.S dhe në fund të tetorit në Bari në shërbim të O.S.S si zëvendës i Major COON, deri sa erdhi FULCI.
I vendosur në vilën AZZON si përgjegjës, jo vetëm i materialeve dhe pajisjeve, por edhe i anëtarësimit të shqiptarëve dhe instruktor leksionesh.
Në fund të tetorit 1944 niset në Shqipëri me Misionin shqiptar të Komandës së Përgjithshme të N.Çl.
Bashkënxënës me Mehmet Shehun në shkollën teknike të Fulcit në Shqipëri, emigron në Amerikë në 1937-ën. Në vitin 1943 merr pjesë në O.S.S dhe fiton pseudonimin ”Larry“. Larry Post, ushtark i shërbimit sekret amerikan, me pagë majori, ishte Llazar Papapostoli nga Ziçishti i Korçës, jeta e të cilit do të merrte një rrjedhë tjetër, sapo ai vendosë të kthehet në Shqipëri në vitin 1944. Vetëm dy vjet më pas, momentin kur bota përfshihet nga Lufta e Ftohtë, ai izolohet, dënohet me dhjetë vjet burg, jeton i vetëm në qeli, kërcënohet e dhunohet, internohet, kurse Mehmet Shehu mban i vetmi kontakte të drejtpërdreja me të deri në fund të vitit 1974, ku dhe vdes në rrethana misterioze, ndërsa, zyrtarisht u publikua vdekje nga infarkti. Kush ishte ushtaraku legal i kundrazbulimit, si nisi rruga e tij momentin që emigron në Amerikë, pse u kthye në Shqipëri, pse u izolua dhe çfarë thuhej në letrën e tij të gjetur në kasafortën e Mehmet Shehut, ditën kur ky vdes. Të vetmit që sot mund të tregojnë për jetën e Larry Post (Llazar Papapostoli) janë njerëzit e familjes së tij, djali Rudolfi, gruaja Liza dhe vëllai i saj, Llambro Labo, personi që qëndroi me të në burg dhe u bë shkak për martesën e Larry Post disa muaj pas daljes nga burgu.
Jeta e mistershme e këtij njeriu në periudhën më të rëndësishme (1946-1958), midis zbulimit, kundrazbulimit shqiptar dhe shërbimeve të huaja, kryesisht ai amerikan, italian e grek. Kohë që përkon me ngritjen e qendrave të spiunazhit në Pulja të Italisë, në kufirin grek; në Janinë, Selanik, Filorrinë, ku përgatiteshin njerëz të spiunazhit të dirigjuar dhe drejtuar nga shërbimi sekret amerikan dhe ai anglez, kundër vendeve të Lindjes të përfshira në Luftën e Ftohtë, në të cilën ishte dhe Shqipëria... Çfarë ndodhi me Larry Post (Llazar Papostolin).
Askush nuk dinte kush qëndronte në qelinë numër 1 në burgun e Tiranës, te Brraka. Ai u izolua për të mos marrë kontakte me askënd, momentin kur bie Koçi Xoxe dhe në fuqi vjen Mehmet Shehu. Larry Post ishte bërë personazhi mister për të gjithë ne në burg. Të dënuarit e vjetër mbanin mend se Koçi Xoxe e torturonte atë në qeli, duke e lidhur në një hell, me qëllim që kamzhiku të kapte të gjithë pjesët e trupit. Llambro Labo fillon kështu të tregojë për njohjen e tij me Larry Post, i cili pas dhjetë vjetësh do të bëhej dhe burri i motrës së tij Jolanda Labo (Liza), mbesa e Odise Kasnecit dhe e Nase Labit. Njeriu i shërbimeve sekrete amerikane, 31 vjeç, arrestohet në vitin 1946 dhe dënohet me dhjetë vjet burg, i akuzuar sipas dosjes hetimore nr.1081/3 në Ministrinë e Brendshme “për pjesëmarrje në organizatën terroriste fashiste të grupit të Monarkistëve, i cili kërkonte për të rrëzuar Qeverinë, si ndërlidhës i reaksionit të jashtëm në dëm të interesave të larta të Atdheut, për pjesëmarrje në të gjitha mbledhjet dhe vendimet e dala nga kjo organizatë për atentate kundra udhëheqësve të pushtetit e të popullit dhe sabotazhe në dëm të rindërtimit”.
Një natë më parë, kohën kur qëndronte në Tiranë, Llary Post merr një mesazh nga Fulci: “Akoma nuk ke ikur, çfarë bën?”. “Vendosa të largohem me shpejtësi dhe futem në disa rrugica për të dalë te rruga e Elbasanit, atje më kishin bërë pritë. ‘Zizi’ me forca të armatosura po më priste”, i ka treguar Labos, Larry. Ky ishte momenti që do të fillonte të flitej për njeriun e amerikanëve me pseudonimin Larry Post, çast ky që përkon me periudhën e prishjes së marrëdhënieve të ambasadës amerikane me qeverinë e asaj kohe, dalë pas ikjes së nazifashistëve.
Dëshmia sekrete e Larry Post dhënë në hetuesi për aktivitetin e tij në Amerikë.
Në qershor të vitit 1943, më thirrëm në Uashington prej z.Fransis Collney për t’u takuar me të në Uashington, ndërkohë që isha në Nju-Jork si drejtor i gazetës “LIRIA”.
Takimi bëhet të nesërmen në zyrën e z.Collney, i cili u prezantua si i ngarkuari i qeverisë amerikane, që po përgatiste disa shpiptarë për të hyrë në Shpipëri për organizimin e rezistencës. Për këtë do të kryenin disa kurse speciale. Kërkoi aprovimin tim. Unë pranova dhe premtova të jem në dispozicion të tyre. Më kërkoi ndonjë shpiptar tjetër, unë rekomandova Spiro Thanasin dhe Dhimitër Trebickën:
Z.Frenise më dha disa formularë me të gjitha gjeneralitetet e hollësishëm në tri kopje. Pas disa ditësh thirrem në telefon nga Uashingtoni për t’u takuar me Majorin Coon, komandant i O.S.S–it për Shpipërinë. Coon, profesori i natropologjisë në Universitetin e Harvardit, afërsisht 50 vjeç, kishte qenë më parë në Shpipërinë e Veriut.
Coon na trajtoi hollësisht misionin e vështirë në Shpipëri dhe detyrën që na dilte për përgatitjen fizike dhe kurse speciale. Për përgatitje fizike më dërguan në zonën A, jashtë Uashingtonit. Na kërkoi Coon, i cili nga ana e tij me prezantoi me Kapter Hans Taft, që do të punonte me ne.
Na dërguan në Zonën B, një tjetër kamp në afërsi të Uashingtonit. Në këtë kamp konspiracioni në të gjitha drejtimet ishte më i fortë. Këtu mora emrin Llary Post.
Ishim afërsisht 60 vetë. Iu nënshtruam leksioneve. Propaganda me prof.Essere Shine, Shefren dhe një spanjoll, Topografinë me prof.Forest dhe përgatitjen me armë me anglezin Major Fainlan. Pas tri javë kurs shkuam në Uashington, ku ndenjëm pesë ditë. Pastaj më çuan dy javë në një fermë afër Uashingtonit, ku vetëm përsërisnim leksionet. Çdo javë takoja dr.Coon dhe Taftin në Uashington për shpjegime.
Pas dy javësh qëndrimi në fermë më çuan në një qytet të vogël afër Baltimores. Ndenja pesë ditë dhe u njoha me armatimin dhe municionin e të gjitha shteteve. Kthehem në Uashington dhe përgatita dokumentet dhe pasaportën etj.) për t’u nisur në Shqipëri.
I pari u nis Coon dhe Taft, më vonë Angela Mitro etj. Unë u nisa me aeroplan për Skoci-Kajro. Jam nisur më 27.09.1943 me itinerarin Skoci-Aeroport Kazablanka-Algjeri-Kajro.
Në Kajro ndenjëm tri javë në zyrën e O.S.S, por nuk u takova me Coon dhe Taft. Më prezantuan në O.S.S me Komandantin për Shqipërinë, Toger Wells, djali i zv.presidentit Sumnur Wells. U njoha dhe me Major Mc One, i cili ishte kapo i SI për Shqipërinë. Kthehet Coon dhe Taft dhe u nisëm në Bari, ku ngritëm zyrën e S.B.S. Për në Bari ndoqëm itinerarin Kajro Tunizi-Algjeri-Bari.
Unë dhe Kapter Taft, me ndihmën e zotit Mc BANI, duhet të viheshim në kontakt me shqiptarët. U vendosëm në Vila AZZORE, Via Re David dhe Vila ROSE në Carbunare, ku zhvilloheshin kurse me shqiptarë të tjerë.
Kurset përfunduan në mars 1944. Profesorë ishin Cook, Fulc, Angelo Prifti etj.
Dëshiroja të vija në Shpipëri me mision, por më mohohej me pretekste të ndryshme. Më thonin do të shkosh vetëm si shqiptar. Kërkova dorëheqjen dhe me falenderime për shërbimin në SHBA e firmosur nga Edwart Green.
U vendos të nisem. Direktiva e Fulcit ishte që unë të prezantohesha në Misionin Amerikan në Shqipëri dhe të isha në punë me Tomin (Thoma STEFANI).
Në fund të tetor 1944, u nisëm nga Bari-Kakome dhe pastaj me një tjetër motoskaf arritëm në Sarandë, ku qëndruam një natë. Vazhduam Delvinë-Gjirokastër-Këlcyrë-Berat. Në Berat u paraqita në komandën e Përgjithshme të Lëvizjes. Më pritën mirë. Më prezantuan me Myslym Pezën, Haxhi Lleshin, Isuf Kambon, Gaqo Progrin, Sejfulla Malëshovën, Ymer Dishnicën. Para se të prezantohesha me ta, i dorëzova Tomit një zarf të nbyllur të Fulcit. Tomi, pasi studioi direktivat e Fulcit, me porositi të qëndroja disa ditë me personalitetet e Lëvizjes për të përfituar ndonjë vënd pune, pasi ishte prag çlirimi. Komanda shqiptare më dërgoi në Tiranë. Arrita dy ditë para çlirimit të qytetit. U paraqita te Mehmet Shehu dhe Dali Ndreu, të cilët me dërguan në Brigadën e 4-ët.
Në maj 1945 erdhi Fulci dhe shkova e takova në Mision. Meqë kisha afërsisht 10 muaj pa punë dhe po kopromentohesha, Fulci më gjeti një vend në UNRRA dhe për të më humbur gjurmët më çoi në Durrës.
Nga 02.12.1945 deri sa filluan arrestimet kam takuar Fulcin dy herë. Ai më thoshte: “ende nuk të kanë arrestuar, duhet të largohesh fshehtas me ndonjë anije të UNRRA-s”. Tentova të ikja, por ishte e pamundur
Pse u mbajt i izoluar Larry Post, çfarë ndodhi me të pas arrestimit!!!
Në Itali, si i dërguar i amerikanëve për të marrë pjesë në Shtabin e Mesdheut, si përfaqësues kryesor i aleatëve, gjë e cila nuk u krye, ndërsa anglezët preferuan Rundolf Çurçillin, të birin e Çurçillit, Larry Post vihet në kontakt me kryetarin e misionit jugosllav, kolonel Velebit. Aty hyn në lidhje me udhëheqës të L.A.N, takohet me misionarët e parë të U.N.Ç.SH (Ushtria Nacional Çlirimtare Shqiptare), Halim Halimi dhe me një tjetër person me emrin Sala. Vjen në Shqipëri i shoqëruar nga delegacioni i gruas antifashiste jugosllave, drejtuar nga Ollga Kavaçiç. Pritet në Berat nga Velim Stojniç, kryetar i misionit jugosllav në Shqipëri. Në këtë qytet takohet me të gjithë udhëheqësit, përveç Koçi Xoxes. Enver Hoxha e dërgon në Tiranë për të parë luftën çlirimtare të kryeqyteti. Ky do të ishte momenti që për Larry Post sjell kohën e rënies. Për të fillons survejimi, izolimi. Dërgohet në Brigadën numër 4, tentohet një eliminim i tij sipas dëshmisë së lënë në hetuesi. Pas çlirimit punon për UNRRA-n, ku dhe kontribuon për arratisjen e shqiptarëve drejt Italisë nëpërmjet Durrësit, si i vetmi person që kishte mundësi për të hipur në anije. Arrestohet në dhjetor të 1946.
“Në qelinë numër 1 ai torturohej dhe nga Koçi Xoxe i kërkohej se çfarë Larry Post i kishte afruar Enver Hoxhës. Asgjë nuk i kam thënë dhe asgjë nuk më ka kërkuar, vetëm i kam dhuruar një orë nga Amerika”, tregon Labro Labi bisedën e bërë me Post. Labi vazhdon të tregojë se ardhja e Mehmet Shehut në vend të Koçi Xoxes do të ofronte një tjetër mënyrë dënimi për Larry Post. Deri në datën që ai doli nga burgu, pikërisht më 23.01.1956, Post nuk u takua nga askush, përveç motrës së tij, martuar në Tiranë, Nastasia Duma dhe ndonjë titullari. “Kur u hapën portat dhe Larry Post del nga qelia, mbante kokën lart dhe shikonte anash i tronditur”, dëshmon Labo. Kur kishin patur mundësi të komunikonin para se ai të izolohej, Labo i kishte dhënë leje Larry-t të shkonte në shtëpinë e tij për vizitë, pasi të dilte nga burgu. Ky ishte momenti kur majori i shërbimeve sekret njihet me motrën e Labos, Jolandën, të cilën e thërrisnin Liza. Vendosë të shkojë në vendlindje në Ziçisht të Korçës. Por, sipas dosjes hetimore nr.1081/3, mbasi u lirua, “meqenëse përsëri zhvillonte veprimtari armiqësore dhe meqë kishte shfaqur tendenca për arratisje, pasi fshati i tij ishte afër me kufirin grek, Komisioni i Internim- Dëbimeve me vendim nr.5, datë 16.07.1956, vendosi internimin e tij në Shtyllas të Fierit për pesë vjet kohë. Afati i internimit i filloi më datë 16 korrik 1965 dhe i mbaroi më datë 16 korrik në 1961. Kjo masë dënimi iu përsërit”.
Paralelisht vendoset dëbimi për familjen e Jolandës si familje reaksionare, ku në burg po vuanin dënimin vëllai dhe babai i saj. Ato largohen për të gjetur strehë në Kavajë. Liza shkon për të takuar të vëllain Llabron në Zadrimë të Lezhës, atje ku të burgosurit ishin dërguar për të hapur kanalin e madh të fushës, dhe i thotë se “kam vendosur të fejohem me Larry-n”.
“Prej këtu filloi jeta bashkëshortore e Larry Post me motrën time Lizën, ku lindën dhe fëmijët, Greiss dhe Rudolf. Ata u vendosën në kampin e të internuarve në fermën Çlirimi në Fier. I vetmi njeri që mbante kontake me të isha unë. Mësova se i vetmi që mbante kontakte dhe i vinte shpesh në kamp, ishin njerëzit e Mehmet Shehut”, kujton Labo. Një ditë, kur në kopshtin e fidanishteve, ku i vetmi që punonte pa patur lidhje me askënd tjetër, përveçse familjes së tij, te Larry zbret Mehmet Shehu. Dikush nga rojet e kap Rudolfin me dy krahët, Post thotë: “ai është djali im”. Për Labon mbetet mister ajo çka Mehmeti i kërkonte kunatit të tij, ndërkohë që atij i jepej e drejtë për të lëvizur vetëm me leje në Lushnjë dhe në Berat.
“Kur isha në një ditë në takim, ashtu siç u takonim, ku Larry shpeshherë nuk fliste aspak, ishte me ne dhe Remzi Ndreu. Ai më thotë: Ç’thoni për bashkimin me Jugosllavinë. Nuk është zgjidhje për Shqipërinë kjo, i them unë në moment. Ai tundi kokën në shenjë miratimi dhe nuk u fol më asnjë fjalë. Në atë kohë, në “Transatlantikun” ishte bërë takimi midis Mehmet Shehut, Titos, Fucit dhe Randolf Çurçillit. Ata diçka kërkonin nga Larry”, thotë Labo. Ai kujton mirë ditën kur Post (Llazar Papostoli) arrin të (IMG:http://www.kavajaonline.com/forumi//style_emoticons/default/yes.gif) jë një leje për në Berat, gjoja për të vizituar sytë. Kur u kthye më tha: takova doktorin (Ymer Dishnicën), asgjë më tepër.
“Llazarit i kishin ndërprerë marrëdhëniet, këtë ma kishte thënë me gojën e tij. Llambro, më tha, më kanë prerë lidhjet me të gjithë, nuk arrij të nis një letër tek Enver Hoxha”, thotë Labo. Larry Post pas gjithë atyre viteve burg dhe internim kishte nisur një letër në adresë të Enver Hoxhës dhe i kërkonte atij lutje për fëmijët. Përgjigjja e letrës vjen nga Ministria e Brendshme. “Ju do të merrni përgjigje nga Mehmet Shehu“, thuhej në të. Sipas Llambros, në këtë kohë Post kishte humbur shpresat.
Një ditë ai niset nga kampi për të blerë ndonjë gjë në Pojan të Fierit. Në mbrëmje i kishte thënë dhe Drita Kosturit, e cila i premtoi se do të shkonin bashkarisht. Në mëngjes, Kosturi nuk pranoi, duke nxjerrë një preteks. Rruga binte nga përroi, kujton Llambro. Larry u pa të kthehej në atë rrugë, të futej në kthesë, por jo të dilte më. Pas dy ditësh gjendet dhe dërgohet në spital, ku dhe u tha se vdiq nga infakti.
Një vit më parë, kujton Llambro, Post i kishte treguar se një ditë tek po pinte kafe aty në fshatin e kampit, i kishin dhënë një cigare, nuk kishte mundur ta thithte as tri herë, ndërsa kishte pësuar goditje dhe ishte rrëzuar. Mjeku i tha se kishte pësuar infarkt... Ky ishte fundi për njeriun e mistershëm Llazar Papapostoli, ”Larry Post“, pseudonimi i të cilit do të përmendej nga Enver Hoxha në veprat e tij ”Titistët“, “Rreziku i anglo-amerikanëve“, por pa folur askush gjatë për të...
ër herë të parë në shtyp bashkëshortja e Llazar Papapostolit: Jeta në fermën “Çlirimi”, në kampin e të internuarve në Shtyllas të Fierit. Si vdiq Post, dyshimet e gruas për vrimën pas koke, ç’kërkonte hetusia nga Liza pas vdekjes së Mehmet Shehut. Çfarë thanë Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha për majorin e shërbimeve sekrete amerikane.
Liza Papa (Papapostoli), një grua simpatike, me trup të vogël, komunikon përsosshmërisht saktë, me logjikë të pastër larg ekstremiteteve, ndaj 74 vitet e moshës së saj nuk duken. Në banesën pranë Gjykatës së Tiranës ku ajo jeton, rregullimi i së cilës prek antiken me modernen, ajo të pret pa kurrfarë ndroje. Thotë me të qeshur se shijet për përdorimin e drurit dhe të pikturave kudo nëpër shtëpi, ishin të djalit Rudolfit dhe nuses së tij. Mbesë e Kasnecëve dhe bijë e Labove, provon dhimbjen më të fortë kur në vitin e fundit të Pedagogjikes, së bashku me dy-tre shokë të tjerë, provoi të përjashtohej nga shkolla. Ishte koha kur BRASH-i udhëhiqte lëvizjen kundër të rinjve që vinin nga radhët antikonformiste. Jolanda Labo (Liza Papa) me baba të dënuar me burgim të përjetshëm, me vëlla të burgosur, Llambron, gjatë stuhisë së arrestimeve në 1953-ën pas vdekjes së Stalinit, nis të ndihmojë të ëmën, duke punuar më makinë qepëse në banesë. “Kjo për të mbajtur familjen, pasi babai jo thjesht u dënua me burg të përjetshëm, por i morën gjithçka kishim, pasurinë tonë”, thotë Liza.
Në fund të vitit 1956, ajo bëhet gruaja e Larry Post, oficerit të shërbimeve sekrete amerikane, i cili prej afro një viti doli nga burgu i Tiranës, ku qëndroi 10 vjet i dënuar, tetë nga ato i izoluar në qelinë numër 1. “Kisha dëgjuar për një amerikan, i cili kishte mbetur dhe ftuar nëpër burgje, aq sa informacion mund të merrnim ne në ato vite brenda rretheve tona. Krijova bindje për një mashkull të zgjuar dhe sigurisht me bindje demokrate, ashtu siç isha unë, ashtu siç ishte familja ime. Ndaj, kur erdhi në shtëpinë tonë dhe, pasi e njoftova tim vëlla kur shkova në Zadrimë, ku po ndërtohej kanali i fushës nga të dënuarit, vendosa përfundimisht”, kujton Liza.
Kështu, Liza Papa futet në jetën e njeriut me karrierë të shërbimeve sekrete amerikane, ndërton familjen me dy fëmijë në internim të përndjekur e të survejuar nën presionin e skenareve të asaj kohe. Jeton me Larry Post deri në fund të jetës së tij në Shtyllas të Fierit, atje ku ajo thotë se e vranë.
Çfarë, Liza mësoi nga burri i saj, Larry Post, apo Llazar Papapostoli, cila ishte jeta që ajo bëri në fermën “Çlirimi” pesë vjet dhe më pas në kampin e të internuarve në Shtyllas të Fierit. Kush e takonte Post dhe si vdiq ai, pse Liza u mor në pyetje nga hetues të Fierit dhe të Ministrisë së Brendshme pas vdekjes së Mehmet Shehut, kur po gjykohej Kadri Hazbiu dhe Feçor Shehu. Pse Ramiz Alia për Larry Post tha se është lënë i lirë, ndërsa në kujtimet e Nexhmie Hoxhës, oficeri i shërbimeve sekrete amerikane ishte ekstraduar në Amerikë. Dyshimet, faktet rreth njohjes dhe jetës me Larry Post, i tregon në “Metropol”.
Zonja Liza, si u njohët me burrin tuaj Llazar Papapostoli (Larry Post)?
Njohja me Llazin është pak a shumë ashtu si ju e keni shkruar një ditë më parë në gazetën tuaj. Kisha dëgjuar për një amerikan me emrin Larry Post, që nuk ishte lejuar të kthehej dhe mbahej në burg. E mendoja një mashkull intiligjent, të edukuar, me parime demokratike, parime, të cilat bënin pjesë tek unë dhe në familjen time. Pra, tek unë ky person ishte bërë i njohur mbi bazë informacionesh që merrnim ne në rrethet tona, ku diskutonim për situatën politike në ato kohë dhe shumë gjëra të tjera. Familja ime po ndëshkohej, babai më ishte dënuar me burgim të përjeshtëm dhe vëllai gjithashtu i burgusor, një njeri që u përjashtua i pari nga shkollat shqipe për ide antikonformiste. Në këto kushte ndodhi dhe vizita e Llazit në shtëpinë time, pasi kishte patur njohje me Llambron, vëllain në burg. Vendosa të martohesha me të pa asnjë kurrfarë pendese, i tregoj familjes dhe kjo u vendos. Ndërkohë, Llazin e kishin detyruar të ikte në fshatin e tij në Korçë në Ziçisht, por dhe prej aty e dërguan në internim në fermat e Fierit, ku tentuan sërish t’i vinin të njëjtën akuzë për të cilën e mbajtën në burgun e Tiranës. Jeta ime bashkëshortore, ku lindën dhe dy fëmijët, vajza Greiss dhe djali Rudolf, filloi në fermën “Çlirimi” dhe u mbyll në Shtyllas të Fierit, si të internuar brenda një dhome tre me katër.
Kur ju u martuat çfarë të tregoi më tepër Larry Post për jetën e tij jashtë dhe brenda vendit?
Në raste të rralla ndodhte që ai mund të më fliste për ndonjë gjë. Unë, sigurisht mësova se ai 10 vjeç ishte sjellë te Fulci nga një dajë e tij, i cili i tha ta provonte. Nëse Llazi do të ecte, ai do ta linte në shkollë, në të kundërtën do ta merrte më pas për tri ditë. Por ndodhi që Fulci i tha, a ka nxënës të tillë, të tjerë. Këtë ma ka treguar vetë burri. Në Amerikë merret nga xhaxhai i tij dhe Kosta Çekrezi, figurë shumë e njohur, e bën Llazin drejtor të gazetës “Iliria”. Në Amerikë diplomohet në Universitetin e Ilinois në degën e shkencave politiko-shoqërore. Vendos të kthehet në Shqipëri në vitin 1944, për të cilën ai mua më ka thënë se hoqi dorë nga puna për të vazhduar në vendin e tij. Por nuk e lanë më të kthehej, ndërkohë që ai merrte mesazhe se do të vritej dhe e arrestojnë në vitin 1946. Për Llazin mund të flasësh shumë, por varet se çfarë ju kërkoni.
Si ishte Larry Post si bashkëshort?
Për këtë drejtim do të flas me kënaqësi. Edhe nëse situatat do të ishin ndryshe, nuk do të kisha patur shansin të njihja një burrë si ai. I edukuar, inteligjent, që nuk ankohej kurrë dhe shumë punëtor. Brenda mureve të dhomës time kam bërë një jetë të çmuar. Larry Post ishte vërtet një burrë dhe një bashkëshort i mrekullueshëm.
Burri juaj qëndroi dhjetë vjet në burg, 8 vjet i izoluar në një qeli. A mësuat ju gjë pse ndodhi kjo?
Tashmë pas ndryshimit të sistemeve janë mësuar shumë më tepër nga ç’dinim në atë kohë. Por unë po tregoj ato pak gjëra, të cilat m’i ka treguar ai. Madje, në një rast nga torturat në qeli ka arritur të presë dhe damarët e duarve, tentoi të vetëvritej. Vonë i ka ardhur zëri, pasi siç më tregonte Llazi, i futnin në fyt dru, aq sa i dëmtuan kordat e zërit. Ishte koha kur Koçi Xoxe i kërkonte të fliste kundër Enver Hoxhës, se gjoja Larry Post ishte i dërguari i shërbimeve sekrete amerikane. Ai ka folur dhe vetë në hetusi se çpozicion legal kishte me O.S.S-në dhe pse kishte vendosur të vinte në vendin e tij. I kërkonin të linte nënshtetësinë amerikane dhe Llazi mua më ka thënë se atë nuk e pranova dhe se ata donin një gjyq antiamerikan. Kjo gjë i ndodhi dhe pas burgut në Korçë. I inskenuan sikur Llazi do të arratisej dhe nisën sërish të njëjtën mënyrë presioni që i kishin bërë në burg. “Nëse do të vazhdoni kështu, do të merrni po ato që keni marrë kaq vite nga unë. Dhe, në qoftë se nuk hiqni dorë, më pushkatoni më mirë”, më ka treguar Llazi. Atëherë, Dega e Korçës vendos ta internojë në Fier, përafërsisht me të njëjtat akuza që u fut në burg; nga pjesëmarrja në organizatën terroriste fashiste e deri tek ato për atentate ndaj drejtuesve të pushtetit të asaj kohe.
A ju ka folur ndonjëherë burri për politikën dhe udhëheqësit e asaj kohe?
Jua theksoj dhe një herë, Llazi fliste shumë pak dhe në asnjë rast për tema që mund të na krijonin më tepër probelme atje ku ishim. Por mbaj mend se një ditë më tha: “Këta janë një tufë ujqër që do të shqyejnë njëri-tjetrin”. Kështu ndodhi dhe unë shpeshherë e mendoj se kur Llazi ma tha këtë, pak mundësi analize për situatën mund të kishe.
Kthehemi te vdekja e Larry Post, si ndodhi?
Llazi ose siç njihet Larry Post, u vra, nuk vdiq. Pse do të thoni ju. Unë po u tregoj atë çka di dhe atë ç’ka kam mësuar rreth kësaj ngjarjeje.
Atë ditë kisha për të punuar larg në arat me oriz në Bushtov. Mbaj mend se Llazi kishte gatuar kërpurdha dhe unë duke e ditur se ishte për rrugë, i thashë do ta marr unë këtë ushqim. Ai gatuante shumë mirë, ishte specialist, pasi njihte mirë fushën e bujqësisë, kryesisht perimet dhe mund të sajonte çfarëdolloj pjate ushqimi. Në Amerikë kishte shokë çifutë dhe si beqar mësonin për të jetuar vetëm, por unë merakosesha për të. Një natë më parë, Drita Kosturi i kishte thënë se do të shkonte edhe ajo në Pojan të Fierit, për të bërë ndonjë pazar të vogël. Më vonë marr vesh se ajo nuk kishte shkuar. Ishte ora dhjetë e paradites kur më dërguan fjalë se Llazi ishte në spital. Mendova se mos kishte ndonjë problem me zemrën, pasi një vit më parë ishte futur në një kafe aty në fshat dhe sapo dikush i kishte dhënë një cigare, pati probleme serioze. Dhe unë vazhdimisht isha e shqetësuar për këtë fakt. Rrugës kur po kthehesha, një grua më ngushëllon. Aty mora vesh se Llazi kishte vdekur. Kishin bërë gati shtëpinë, kurse nëna ime shkoi për ta veshur, pasi ishte më e zonja në këtë drejtim. Mbaj mend se kur më kthyen rrobat, xhupi i tij që ishte gjetur aty ku kishte vdekur, ishte gjithë gjak. Unë i lava të gjitha dhe i palosa. Sot jam bërë pishman për këtë. Të paktën të kisha atë xhup për kujtim, ta kisha mbajtur... kur vjen nëna në shtëpi më tregon se pas koke Llazi kishte një vrimë. “Kur e ngrita për ta veshur, në fund të kokës kishte një vrimë, ku m’u fut gishti”, më tha ajo. Atëherë menduam që ai ishte i vrarë dhe jo ashtu siç na thanë, që vdiq nga infarkti. Vendi ku vdiq në të dalë nga Pojani për të shkuar në Shtyllas nga mali, ka një pjesë që kalon pranë perrit dhe është me ulje e ngritje. Në kthim, Llazi ishte parë të futej në atë tip lugine, por jo të dalë. Atë moment na kanë treguar të tjerët, kishte kaluar vetëm një burrë me biçiklitë. Ai njeri nuk doli dhe nuk u shfaq asnjëherë, as unë nuk e kërkova. Mund të ketë qenë dhe personi që mund ta ketë qëlluar. Mbaj mend se, Remzi Ndreu më tregoi se kur kishte shkuar te vendi vetëm pak kohë pasi kishte vdekur Llazi, aty kishte gjetur njerëz të degës, të prokurorisë. “Sikur kishin mbirë nga dheu”, më thanë. Ç’të të tregoj më tepër për atë ditë. Ah, m’u kujtua kur e nxorëm trupin për ta varrosur, pashë fytyrën e sforcuar të Llazit, ku proteza i kishte lëvizur. Kjo më bëri përshtypje për momentin. Më pas është diskutuar gjatë dhe unë jam e bindur se atë e vranë.
A di gjë për letrën që Larry ia kishte dërguar Hasan Reçit dhe u gjet në kasafortën e Mehmet Shehut pas vdekjes së tij?
Mua, Llazi nuk më tregonte me detaje. Por mbaj mend që njëherë më tha se, kur Hasan Reçi e kishte parë atë në Tiranë, ishte trembur. ”Ç’bën këtu Llazi, do të vrasin“, i kishte thënë Hasani. Ai më tregonte se ky njeri ishte shumë i trembur, gati për vdekje, por nuk e njihja fare atë person, i cili ishte pushkatuar. Letra Hasan Reçit i erdhi nga Bari, kohën kur Llazi ishte zëvendësi i Fulcit. Mbase pikërisht për këtë letër ai duhej të bëhej në atë gjendje. Më vonë mësuam se kjo u gjet në kasafortën e Mehmetit. Po ashtu, pas vdekjes së Mehmetit, më marrin në pyetje.
Kush ju merr në pyetje dhe çfarë kërkonin nga ju?
Pasi vdiq Llazi, unë bëj kërkesë për t’u larguar nga Shtyllasi e për t’u bashkuar me familjen time në Rrogozhinë, aty ku më rrinin dhe fëmijët. Ma dhanë lejen, por pa të drejtën për të marrë shtëpi. Mbaj mend se pas vdekjes së Mehmetit, ose më saktë, kohën kur filloi gjyqi për Kadri Hazbiun dhe Feçor Shehun, më thërrasin në zyrën e kryetarit të Komitetit të Rrogozhinës. Aty më merr në pyetje një i degës së Fierit, që unë e njihja më parë, sepse merrej me të internuarit, Basri e kishte emrin, nga Shkodra. Më thotë: Kur ke ardhur në Rrogozhinë? Pse thua vdiq Llazi? Ke parë të huaj të takoheshin me të, apo jo? Sigurisht, unë do të tregoja ato që dija, por nuk po kuptoja se ç’po ndodhte. I thashë se ku ka të huaj në internim, por ai më foli për një kosovar. Ai nuk quhet i huaj i thashë, ndërsa ai më pyeste. Mua më kishte treguar Llazi se një oficer i sigurimit kishte vajtur dhe i kërkonte shalqi në emër të Mehmet Shehut. Po mund të kërkonte Mehmeti shalqi prej Larry Post!? Dhe Llazi më tha: S’po më lë rehat qeni!
Kthehemi te ky Basriu, që në fund tha këtë gjë: S`na ndihmove, burri yt kishte një vrimë në kokë. Pastaj iku...
Herën e dytë më vjen një i Ministrisë së Brendshme, një burrë i shkurtër. Nuk e njihja, edhe ai bëri të njëjtat pyetje, por jo që të më thoshte si Basriu, që Llazi kishte një vrimë pas koke.
Në shtyp del se, Ramiz Alia në gjyqin e Hazbiut foli për letrën, sikurse tha se Larry Post ishte lënë i lirë. Kurse Nexhmie Hoxha në librin e saj të fundit, ka thënë se Post është ekstraduar. Ju ç’mendoni për këtë?
Edhe unë i kam lexuar. Besoj se ata vërtet nuk mund të kenë ditur gjë se ç’ndodhi me Larry Post, se nuk ka sesi të bëjnë një deklaratë të tillë. Djali im, Rudolfi, i ktheu përgjigje në shtyp Nexhmies për këtë gjë, por ajo nuk reagoi. Kjo është e tmerrshme, Larry Post u dënua me burg, u torturua, u internua, u vra dhe nga sa lexojmë, Alia dhe Hoxha e dinin të kthyer në Amerikë.
GJËNDJA E SHQIPËRISË - MARRËDHËNIET SHQIPËRI - SH B A.
Që në mesazhin e parë të këtij materiali ( telegrami 711.75/ 1-2046 të datës 29 janar 1946) , Xhejkobs i shkruan Sekretarit të Shtetit ( në vazhdim me sa kuptohet edhe të mesazheve të mëparshme ) se : “…. Une paraqes ndjenjën jo shoqërore në rritje të regjimit këtu, kundrejt SHBA”..
Ai ve në dukje se : “ Për prestigjin tonë ndaj sovjetikëve, në Shqipëri po zhvillohen aktivitete të ndryshme”. Në të theksohet se “ Legata Sovjetike është e plotë, pothuajse të gjithë pjesëtarët janë këtu së bashku me gratë e tyre, se ata jetojnë në pesë shtëpi”…. “ Këta nëpunës, kryesisht ushtarakë, shikohen shpesh në vende publike me zyrtarë shqiptarë… “ se : “ Në qytet ka edhe shumë sovjetikë, që thuhet se janë teknikë ( … janë disa qindëra )…. Dhe priten të vinë tjerë…...”
“…. Brenda vetë qëverisë po del në pah një grup pro jugosllavëve dhe sovjetikëve….
Për të orientuar Kushtetutën e re sipas vijës sovjetike. Kjo ka ngjallur një frymë opozite midis radikalëve moderues… Grindja shkaktoi arrestimin e anëtarëve të të ashtuquajturës opozitë, si Kokoshin, Asllanin dhe Larry Post * ( alias Llazi Papapostoli)…
Lidhur me këtë Enver Hoxha shkruan : “ Ende pa u çliruar Shqipqria, kishte ardhur nga Amerika një farë Llazar Papapostoli, me emrin e amerikanizuar Llary Post. Ky do shërbente si Këshilltar politik pranë misionit amerikan dhe në të njëjtën kohë do të lidhej me agjëntët e vjetër për të hedhur bazat e para të grupeve të spiunazhit e të sabotatorëve. Por këto grupe morrën formën e organizuar, sidomos me ardhjen në mars 1945 të Mr. Fulcit, i cili e mori vetë drejtimin e tyre ( faqe 390)…. “Këto synime i pohuan vetë këta armiq para qjyqit, vetë ata pohuan botërisht, se selitë e misionit anglo-amerikane ishin shnderruar në ofiçina ku kurdiseshin komplote, atentate e sabotime, ku hartoheshin plane për sulme të armatosura e për zbarkimin nga jashtë ( faqe 390)…